DËSHTON FORMIMI I LEGJISLATURËS SË NËNTË TË KUVENDIT TË KOSOVËS DHE FORMIMI I QEVERISË

Foto: Erkin Keçi / AA

Deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës në seancën konstituive nuk arritën deri në pikën e betimit të tyre si deputetë, zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe votimin për qeverinë e re, raporton Anadolu.

Në seancën e udhëhequr nga deputeti më i vjetër në sallë, Avni Dehari, me 119 deputetë të pranishëm në sallë nga gjithsej 120, nuk u arrit të miratohet raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kourumit.

Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin duke kërkuar që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet e 120 deputetëve të zgjedhur në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Me 52 vota për, 46 kundër dhe 11 abstenime, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Nismës Socialdemokrate kanë votuar për raportin, ndërsa kundër ishin ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Deputetët nga Lista Serbe abstenuan.

Pas një pauze, kryesuesi i seancës njoftoi për ndërprerjen e seancës.

“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si të veprohet në të ardhmen”, tha Dehari.

Sipas deputetit të zgjedhur nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, kjo është një rrethanë e re në aspektin kushtetues dhe ligjor dhe rrjedhimisht kryesuesi i seancës vendosi t’i drejtohet Presidentes së Kosovës për hapat e ardhshëm.

Seanca konstituive e Kuvendit u thirr më 1 prill nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të saj me krerët e partive politike.

Me rastin e emërimit të kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, do të hapet rruga për procesin e formimit të qeverisë së re të Kosovës.

Votimi pro i raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kourumit nga tre deputetët e Nismës Socialdemokrate u pa si shenjë se kjo parti do ta mbështesë formimin e një qeverie të re të udhëhequr nga kryeministri i deritanishëm, Albin Kurti.

Partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka të drejtën e para për formimin e qeverisë së re, ka fituar 48 ulëse në Kuvend, ndërsa asaj i duhet bashkëpunimi edhe me deputetë nga partitë tjera për të arritur në 61 vota për të formuar qeverinë e re.

SHARE