KURTI REAGON PAS DËSHTIMIT TË SEANCËS KONSTITUIVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS

Foto: AA

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se deputetët e opozitës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lista Serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bënë “sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike”, raporton Anadolu.

Kurti në një reagim pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se deputetët në vend që të procedonin deri në betimin e tyre, “ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve”.

“Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë”, shkroi Kurti.

Ai tutje tha se ekzekutivi i udhëhequr nga ai qeverisë mbarë dhe mirë, derisa opozita “la nam dhe bëjnë lajm të keq për shtetin tonë”.

“Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shtoi Kurti.

SHARE