Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq nënshkroi Deklaratën për shpalljen e “Ditës Ndërkombëtare të Kratoshisë”.
Millatoviq theksoi se kjo ngjarje paraqet hapin e parë drejt grumbullimit të të gjithë aktorëve shoqërorë rreth idesë që Mali i Zi të njihet si vend i verës.
Siç thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit, Millatoviq ka theksuar se Mali i Zi ka nevojë për ide si kjo, sepse ato përfshijnë tema që na bashkojnë.
Ai tha se kontributi i përbashkët i të gjithë aktorëve shoqërorë dhe vendimmarrësve është i domosdoshëm, sepse vetëm me forca të bashkuara, siç thekson ai, mund ta pozicionojmë edhe një herë Malin e Zi si vend të verës, por edhe të rivendosim traditat e vjetra, të përmirësojmë cilësinë dhe njohjen e verërave malazeze dhe t’i vendosim ato në tregun vendas dhe ndërkombëtar si produkt autentik i vendit tonë.
Siç u njoftua, Deklarata e nënshkruar sot thekson se, duke njohur Kratoshinë si një varietet kyç i origjinës vreshtare të Malit të Zi dhe rëndësinë e saj të jashtëzakonshme në zhvillimin historik dhe evolucionin e varietetit të rrushit, si dhe kontributin e saj në trashëgiminë botërore të verës, nënshkruesit shprehin besimin e tyre se shpallja e një dite të vitit në “Dita Ndërkombëtare e Kratoshisë” dhe futja e saj në jetën sociale, kulturore, ekonomike dhe turistike të Malit të Zi do të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin e verërave autentike malazeze në skenën vendase dhe ndërkombëtare të verës.
Gjithashtu, nënshkruesit e Deklaratës propozuan 24 Prillin si datën më të përshtatshme për të festuar këtë ditë, si shprehje e përkushtimit për ruajtjen, studimin dhe promovimin e Kratoshisë si varietet rrushi autokton malazez.