Foto: Reuters
Shqipëria hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në familjen europiane, duke çelur grup-kapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian, përmes mbajtjes së konferencës së katërt, ndërqeveritarë Shqipëri-BE në Luksemburg.
Grup kapitulli i dytë përfshin çështjet që lidhen me “Tregun e Brendshëm”.
Kryeministri Edi Rama në ndalesën e tij në Bruksel, u takua me Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa.
„Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është një përparësi e qartë për BE dhe është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik. Është vërtetë inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim. Sot po çelim një grup kapitull tjetër dhe ambicia jonë është që të çelim dhe më tej grup kapituj për t’u negociuar gjatë këtij viti sepse e kemi një kalendar shumë konkret dhe duam që të realizojmë dhe kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, por mendoj që kjo është po kështu një shenjë mjaft e rëndësishme për të gjithë rajonin sepse mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është me BE e anëtarësimin në të. Nga ana tjetër, kjo është një mundësi shumë e mirë për të folur për Samitin e Komunitetit Politik që do të mbahet në 16 maj në Tiranë.“
Kryeministri Edi Rama foli për rëndësinë e konferencës së katërt ndërqeveritare.
“Sot sigurisht është një ditë shumë e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces e pastaj edhe për samitin e ardhshëm për komunitetin politik europian, i cili është një aktivitet, një eveniment shumë i rëndësishëm në përgjithësi, por ka një rëndësi të posaçme në këtë moment. Sigurisht do të flasim për rajonin ndaj të cilit, Presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Kështu që, ka shumë për të diskutuar, por në përgjithësi jam shumë shumë i inkurajuar nga këto zhvillime”.
Nga Brukseli kreu qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria është tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027.
Pas vizitës në Bruksel, duke shkuar për në mbledhjen e katërt ndërqeveritare në Strasburg kryeministri Edi Rama përcolli një video-mesazh.