ZRRE-ja MIRATON KËRKESAT E OPERATORËVE ENERGJETIKË, ÇMIMI I RRYMËS RRITET PËR RRETH 16 PËR QIND

Foto: Syri

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale të premten, duke mos treguar se sa përqind është rritur çmimi i rrymës.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë thotë se burime të brendshme kanë bërë të ditur se cmimi do të rritet deri në 16 për qind.

Zyra e rregullatorit të energjisë së kosovës tha se do të njoftojë për përqindjen e rritjes së çmimit të rrymës në ditët në vijim. Ndërkohë, protesta janë paralajmëruar për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike kërkuan ngritjen e çmimit të energjisë për shkak të importit të konsiderueshëm.

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë të kosovës.

Qeveria në detyrë i bëri thirrje ZRRE-së ta mos e rrisë çmimin për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të energjisë që shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Një nga arsyet është vjetërimi i termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë më herët se rritja eventuale e çmimit të energjisë do të rriste kostot operative të bizneseve.

Kjo më pas do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bëra ato më pak konkurruese në treg.

SHARE