Foto: Koha Jone
Një ditë para fillimit zyrtarisht të fushatës elektorale, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran nënvizoi rëndësinë e hetimit dhe ndjekjes së krimit zgjedhor, duke marrë shkas nga fakti se në raportet e fundit për zgjedhjet në Shqipëri shitblerja e votës konsiderohet problematike.
“Është e rëndësishme të theksojmë se, megjithëse është bërë përparim, raportet përfundimtare të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato vendore të vitit 2023 vënë në dukje se krimi zgjedhor, në veçanti shitblerja e votës, keqpërdorimi i burimeve të administratës dhe frikësimi i votuesve vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese. Vlerësoj masat paraprake dhe të bashkërenduara të ndërmarra nga Prokuroria e Përgjithshme, KQZ-ja, SPAK-u dhe Policia e Shtetit për trajtimin e sfidave që lidhen me krimet zgjedhore. Veprimet tuaja të përbashkëta dhe individuale pasqyrojnë vullnetin e fortë institucional për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve.”
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe komisioneri Ilirjan Celibashi u ndalën tek rëndësia e protokollit për parandalimin dhe hetimin e krimit zgjedhor.
“Esenciale marrëveshja me Policinë e Shtetit. I rëndësishëm, Protokolli i Përgjithshëm që u arrit me SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Kemi vendosur që pranë KQZ do të ketë përfaqësues të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, një oficer i policisë gjyqësore dhe 1 prokuror. Secili të shfaqë gatishmëri për të raportuar krimet zgjedhore”