Foto: predsjednik.me
Në mënyrë që të rinjtë të marrin pjesë aktive në proceset e ESG, duhet t’u ofrojmë atyre arsim cilësor që do t’i fuqizojë me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të zgjidhur sfidat me të cilat përballen, tha presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq.
Millatoviq hapi Samitin e tretë radhazi ESG Adria, i cili zhvillohet nga 9 deri më 11 prill në Porto Montenegro, në Tivat.
“Kam kënaqësinë t’ju përshëndes dhe t’ju mirëpres në hapjen e Samitit të ESG-së të këtij viti, kushtuar shtyllave të qëndrueshmërisë – ekologjisë, përgjegjësisë sociale dhe qeverisjes së mirë. Është një nder i madh për mua të jem këtu me ju sot, siç kam qenë për dy vitet e fundit. Mbajtja e kësaj ngjarjeje të rëndësishme dalëngadalë po bëhet një traditë e bukur dhe dihet se sa shumë ne në Mal të Zi e vlerësojmë traditën dhe çmojmë parimet e saj. Thelbi i traditës nuk është vetëm në kohëzgjatjen e saj, por në vazhdimësi, në pranimin dhe transmetimin e vlerave dhe praktikave”, tha Millatoviq.
Ai tha se ndikimi që Samiti ka në rajonin e Adrias dhe më gjerë, tregon se konceptet e reja mund të bëhen traditë kur komuniteti t’i njohë si të rëndësishme dhe të fillojë t’i zbatojë rregullisht.
“Kjo është arsyeja pse është vërtet e kënaqshme të shohësh se si Tivati, si qytet pritës, por edhe i gjithë vendi ynë, pozicionohen me sukses në hartën evropiane të qëndrueshmërisë – kryesisht përmes ideve dhe njerëzve. Kombinimi i bukurisë natyrore, trashëgimisë së pasur kulturore dhe mikpritjes tradicionale krijon mjedisin perfekt për mbajtjen e këtij eventi. Faleminderit Porto Montenegro dhe faleminderit Tivat! Dhe kur i shtojmë njerëzit në atë ekuacion – liderë, vendimmarrës, ekspertë dhe të rinj nga të gjitha sektorët e shoqërisë – atëherë mund të themi me siguri se po ndërtojmë themele të forta për një të ardhme të begatë”, tha presidenti i Malit të Zi.