Foto: AP
Tarifat e reja ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fuqi më 9 prill. Masat tregtare janë në kuadër të politikës së re tregtare të presidentit amerikan, Donald Trump, e cila, sipas tij, synon të ringjallë industrinë prodhuese amerikane.
Normat më të larta të taksave të importit për dhjetëra shtete dhe territore përfshijnë një tarifë masive prej 104 për qind ndaj mallrave kineze dhe 20 për qind për produktet nga Bashkimi Evropian.
Ky rund i ri tarifash hyn në fuqi të mërkurën, pasi më 5 prill nisën së zbatuari tarifat bazë prej 10 për qind për importet e shumë shteteve të botës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trumpi nuk e ka shqyrtuar mundësinë e hyrjes me vonesë në fuqi të këtyre tarifave.
“Ai pret që këto tarifa të hyjnë në fuqi”, tha ajo më 8 prill, disa orë para mesnatës, kur ishte afati për hyrjen në fuqi të tarifave.
Vetë Trump dha sinjale të përziera lidhur me atë nëse tarifat do të mbeten në fuqi. Ndërsa i përshkroi ato si “të përhershme”, ai tha se përfaqësues të shteteve të prekura ishin rrugës për në Uashington për të negociuar marrëveshje dypalëshe tregtare.
“Kemi shumë vende që po vijnë për të bërë marrëveshje”, tha ai në një ngjarje të organizuar në Shtëpinë e Bardhë më 8 prill. Më vonë, Trump shtoi se priste që edhe Kina të kërkonte një marrëveshje tregtare me SHBA-në.
Administrata e Trumpit ka planifikuar bisedime me përfaqësues të Koresë së Jugut dhe Japonisë, dy aleatë të afërt dhe partnerë të mëdhenj tregtarë të SHBA-së. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pritet të vizitojë javën e ardhshme Uashingtonin.