Foto: Ilustrim
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) u bëri thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin aktivitete më intensive për të rritur numrin e fëmijëve romë dhe egjiptianë që regjistrohen në institucionet parashkollore dhe për të siguruar masa që do të kontribuojnë në mbajtjen e tyre në arsimin fillor dhe një kalim të suksesshëm në shkollën e mesme.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, UNICEF tha se arsimi është themeli i zhvillimit të çdo fëmije, por megjithatë fëmijët romë dhe egjiptianë përballen me sfida të shumta që e vështirësojnë aksesin e tyre në arsim.
Ata deklaruan se, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga Regjistrimi i Popullsisë 2023 dhe portalit të Statistikave të Shkollave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit për vitin e kaluar, afër 80 për qind e fëmijëve romë dhe egjiptianë në Mal të Zi nuk ndjekin arsimin parashkollor, sepse ka pengesa të shumta që ende i pengojnë ta bëjnë këtë.
Megjithatë, siç tha UNICEF, nuk ka të dhëna të përditësuara se sa prej këtyre fëmijëve ndjekin rregullisht shkollën, apo e përfundojnë me sukses arsimin e tyre.
Siç thekson Mikele Servadei, shef i zyrës përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi, për të rritur nivelin e ndjekjes së arsimit parashkollor tek fëmijët romë dhe egjiptianë, është e nevojshme të sigurohet transporti në institucionet parashkollore dhe të rritet numri i ndërmjetësuesve romë në sektorin social dhe mbrojtjen e fëmijëve.
“Çrrënjosja e varfërisë fillon me ofrimin e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës për çdo fëmijë dhe kjo është arsyeja pse UNICEF-i do të bashkëpunojë me institucionet kombëtare dhe lokale, si dhe me komunitetin rom dhe egjiptian, për të siguruar që çdo fëmijë në Mal të Zi të mund të realizojë të drejtën për arsimim”, tha Servadei.