Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Administratës Publike ka themeluar Autoritetin e Certifikimit të GovME CA, që sipas ministrit Marash Dukaj është një hap i rëndësishëm përpara, duke pasur parasysh se Ministria po bëhet për herë të parë një ofrues i kualifikuar i shërbimeve të besimit elektronik për nevojat e organeve të administratës shtetërore.
“Më parë, ne ishim të kufizuar vetëm në lëshimin e nënshkrimeve elektronike të avancuara. Tani ne kemi mundësinë të ofrojmë deri në shtatë shërbime të ndryshme besimi që janë kyçe për digjitalizimin e sektorit publik”, tha ministri i Administratës Publike.
I gjithë procesi i krijimit të këtij sistemi dhe i përgatitjes së dokumentacionit shoqërues, sipas ministrit, është kryer në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira, gjë që tregon qartë përkushtimin e Malit të Zi në rrugën e tij evropiane.
Tani, siç theksoi ai, kemi një infrastrukturë që krahas statusit të ofruesit të kualifikuar, mundëson kontroll dhe siguri të plotë në përdorimin e shërbimeve elektronike në administratën publike, gjë që forcon edhe më shumë besimin e qytetarëve dhe institucioneve në shërbimet digjitale të Qeverisë së Malit të Zi.
“Me themelimin e GovME CA, ne po krijojmë një bazë të qëndrueshme për transformimin e mëtejshëm digjital të shtetit, duke thjeshtuar proceset e biznesit, duke përshpejtuar punën e administratës dhe duke e afruar edhe më shumë Malin e Zi me standardet evropiane”, theksoi Dukaj.