Foto: Shutterstock
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës miratoi sot rekomandimet për zgjedhjet lokale në Podgoricë dhe u bëri thirrje autoriteteve malazeze që të demonstrojnë një përkushtim më të fortë ndaj vetëqeverisjes lokale dhe reformës zgjedhore.
Kongresi përshëndeti “zgjedhjet e parakohshme paqësore lokale në Podgoricë, të mbajtura më 29 shtator 2024”, por rekomandoi gjithashtu që të vazhdohet iniciativa për të mbajtur të gjitha zgjedhjet në të njëjtën ditë për të parandaluar turizmin zgjedhor.
Kur bëhet fjalë për mjedisin e përgjithshëm zgjedhor, Kongresi, siç është paralajmëruar nga Këshilli i Evropës, po ashtu ka pranuar progresin në fushën e lirisë së medias në Mal të Zi, duke përshëndetur faktin që kandidatët kanë mundur të bëjnë fushatë lirisht dhe se shumë kanë marrë pjesë në debate televizive.
Në të njëjtën kohë, kandidatët e pavarur, nuk u është lejuar të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, gjë që nuk është në përputhje me Rekomandimin 476 të Kongresit (2022) për pozicionin e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale dhe rajonale.
“Ne e konsiderojmë se përjashtimi i tyre kufizon zgjedhjen e votuesve dhe ngushton konkurrencën politike,” theksoi Randi Mondorf (Danimarkë).
Ajo vuri në dukje se delegacioni i Kongresit, i cili vizitoi 55 qendra votimi, zbuloi se procedurat përgjithësisht respektoheshin dhe se përdorimi i identifikimit elektronik kontribuoi në një besim më të madh në procesin e identifikimit të votuesve.
Delegacioni përshëndeti gjithashtu disponueshmërinë e kutive të lëvizshme të votimit, të cilat lehtësuan votimin për personat me aftësi të kufizuara.
“Megjithatë, delegacioni i Kongresit konstatoi shkelje të fshehtësisë së votimit për shkak të paraqitjes së qendrave të votimit, si dhe mungesës së një dallimi të qartë ndërmjet anëtarëve të qendrave të votimit dhe përfaqësuesve të partive politike, dhe u bëri thirrje autoriteteve që të forcojnë integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në deklaratë.
Në rezolutën e tij, Kongresi u angazhua për forcimin e monitorimit paszgjedhor dhe dialogut zgjedhor me autoritetet malazeze, dhe në veçanti me Ministrinë e Administratës Publike, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së demokracisë lokale dhe zgjedhjeve lokale në vend në përputhje me Kartën dhe standardet zgjedhore.
Kongresi vuri në dukje edhe fusha të tjera që duhen përmirësuar, si rritja e transparencës në punën e administratës zgjedhore, mbyllja e kutive të votimit, akreditimi i anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit, si dhe forcimi i rregulloreve në lidhje me fushatën në mediat sociale, keqpërdorimin e burimeve administrative dhe financimin e fushatës.
“Po ashtu, u inkurajuan gjithashtu autoritetet që të zgjidhin shpejt situatën në lidhje me demokracinë lokale në Shavnik, ku zgjedhjet lokale nuk janë përfunduar as pas nëntë raundeve të votimit midis tetorit dhe dhjetorit 2022,” tha Këshilli i Evropës.