Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka zhvilluar një takim me kryetarët e komunave jugore në Mal të Zi me qëllim të shkëmbimit të mendimeve për mundësitë e investimeve dhe interesimin për investime të mundshme.
Në këtë drejtim, kryeministri Spajiq i njoftoi bashkëbiseduesit e tij për takimet që kishte zhvilluar në periudhën e kaluar për promovimin e potencialit investues të Malit të Zi dhe vuri në dukje interesin e shtuar të investitorëve por edhe mungesën e iniciativës dhe shpejtësisë nga ana e pushtetit vendor.
„Qëllimi i të gjitha vizitave ndërkombëtare është promovimi i potencialit të Malit të Zi, por duhet të kuptojmë se realizimi i investimeve të mëdha kërkon sinergji ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale. Detyra jonë është të krijojmë mundësi, dhe detyra e menaxhmentit vendor është të mundësojë realizimin e projekteve të mëdha që do të sigurojnë një standard më të mirë jetese,“ tha kryeministri.
Spajiq gjithashtu theksoi se investimet e reja kanë një ndikim pozitiv tek biznesmenët vendas, sepse ato krijojnë mundësi për përmirësimin e biznesit të tyre.
„Në momentin që një investitor tregon interes për vendin tonë, janë komunat ato që duhet të konkurrojnë për vëmendjen e tyre. Prandaj, është veçanërisht e rëndësishme të përmirësohet mjedisi i biznesit dhe të krijohen mundësi për zhvillim dhe punësim të popullatës lokale,“ theksoi ai.
Kryeministri Spajiq njoftoi se pas skadimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2022, të cilën qeveritë e mëparshme nuk e rinovuan, Qeveria e miratoi dokumentin dhe se së shpejti do të nënshkruhet me Emiratet.
„Marrëveshja do të jetë bazë për bashkëpunim në fusha të ndryshme. Gjithashtu, do të nënshkruajmë marrëveshje specifike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe njëra prej tyre do të lidhet me projekte të mëdha zhvillimi në jug dhe veri të vendit, me karakter turistik. Marrëveshjet ndërshtetërore mundësojnë që projektet të realizohen shumë më shpejt dhe me efikasitet,“ theksoi kryeministri.
Në takim morën pjesë kryetarët e komunave të Tivatit, Zhelko Komnenoviq, Budvës Nikolla Jovanoviq, Tivarit Dushan Raiçeviq, Kotorrit Vlladimir Jokiq, Herceg Novit Stevan Katiq dhe Ulqinit Genci Nimanbegu.
Ata përshëndetën iniciativën e kryeministrit për marrjen e vendimeve për politikat zhvillimore në bashkëpunim me komunitetet lokale.
Ata theksuan se dokumentet planifikuese, infrastruktura dhe zgjidhja e marrëdhënieve pronësore dhe juridike janë parakushte të rëndësishme për realizimin e projekteve zhvillimore.