KOMISIONERJA KOS: DUAM QË SHQIPËRIA TË BËHET PJESË E BASHKIMIT EVROPIAN

Foto: Olsi Shehu / AA

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin Edi Rama.

Pas takimit në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama dhe Kos mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet integrimit në BE, procesin e reformave në Shqipëri dhe çështje të tjera.

– Rama: Duam të bëhemi pjesë e familjes së bashkuar evropiane

Kryeministri Rama tha se janë të vetëdijshëm që duhet ta meritojnë çdo ditë mbështetjen e BE-së, sepse shtoi ai “duam të bëhemi pjesë e familjes së bashkuar evropiane”.

“Ne e dimë se nuk ka asnjë alternativë tjetër pikërisht sepse nuk ka alternativë tjetër të lirisë individuale, nuk ka alternativë tjetër të barazisë para ligjit, nuk ka alternativë tjetër të bashkëjetesës në diversitet dhe të standardeve evropiane të kësaj bashkëjetese”, theksoi Rama.

Rama tha se janë shumë të vendosur që ta përmbushin me sukses objektivin sipas tij shumë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda vitit 2027 dhe shtoi se ambicia është që shqiptarët të marrin pasaportën e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.

“Integrimi dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një udhëtim me autobus apo me aeroplan për në Bruksel, por është krijimi këtu i të gjitha kushteve dhe i të gjitha standardeve për të qenë anëtar i asaj familje atje. Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian ne e shohim si realizim të programit që kemi”, tha ndër të tjera Rama.

– Komisionerja Kos: Duam që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian

Komisionerja e BE-së, Kos, u shpreh se Shqipëria ka ecur vërtet shumë mirë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se po realizon këtë vizitë për të treguar mbështetjen e saj të plotë për objektivat e Shqipërisë.

“Ne po ecim në rrugën e duhur sepse janë hapur tashmë grupkapitujt e caktuar. Pra, me shumë dëshirë duam që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ju e meritoni, sepse me ju brenda Bashkimit Evropian, Evropa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por edhe më e fortë. Ju jeni ishull stabiliteti, keni marrëdhënia të fqinjësisë së mirë në rajon”, tha Kos.

Ajo shtoi se reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri e mbështet tërësisht sepse sipas saj është gurthemeli i procesit të integrimit evropian. Gjithashtu ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që procesi i anëtarësimit në BE të jetë një projekt i të gjithë shoqërisë shqiptare.

Sipas një deklarate nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Kos do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të Shqipërisë dhe se do të vizitojë edhe qytetin e Elbasanit.

SHARE