DUKAJ: DIGJITALIZIMI PRIORITET STRATEGJIK KYÇ I QEVERISË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ndërtimi i Qendrës të të Dhënave Shtetërore dhe Qendrës për Rimëkëmbjen e Fatkeqësive paraqet themelin e një infrastrukture moderne digjitale, e cila do të mundësojë funksionim më efikas, të sigurt dhe ekonomik të administratës publike, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Dukaj theksoi se digjitalizimi është një prioritet strategjik kyç i Qeverisë, me të cilin duan të ndërtojnë një administratë publike efikase, të hapur dhe transparente, të gatshme për sfidat e epokës digjitale.

“Jam krenar të prezantoj sot Studimin e Fizibilitetit për Qendrën të të Dhënave Shtetërore dhe Qendrën për Rimëkëmbjen e Fatkeqësive, i cili është zhvilluar në kuadër të projektit “Mbështetje për transformimin digjital të Malit të Zi”, tha Dukaj.

Sipas Dukajt, me zbatimin e këtij projekti realizohen synimet e përcaktuara nga strategjitë e transformimit digjital, reformës së administratës publike dhe sigurisë kibernetike, të cilat shprehin qartë vizionin e një shoqërie të zhvilluar në mënyrë digjitale.

Ai shtoi se ky projekt, si pjesë e angazhimit të tyre për transformimin digjital, tregon gjithashtu synimin e qartë të Malit të Zi për të qenë një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht në sigurinë kibernetike brenda NATO-s.

“Falenderim i veçantë UNOPS-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe KPMG-së për përgatitjen profesionale dhe cilësore të studimit të fizibilitetit, i cili përcakton udhëzime të qarta për zbatimin e këtij projekti strategjik”, tha Dukaj.

SHARE