Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq tha se Republika Çeke mbështet fuqishëm rrugën tonë evropiane.
Millatoviq u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky, ku u theksua se marrëdhëniet mes vendeve tona janë miqësore dhe aleate, gjë që më së miri u konfirmua nga vizita zyrtare e Presidentit të Republikës Çeke, Petr Pavel, në Mal të Zi në fillim të këtij viti.
“Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke gjatë negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi me Bashkimin Evropian (BE) dhe jemi veçanërisht mirënjohës për angazhimin e saj aktiv në grupin joformal të vendeve anëtare të BE-së “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Millatoviq në rrjetin social X.
Ai thekson se ai dhe Lipavsky kanë biseduar edhe për hapat konkretë drejt hapjes së afërt të misionit diplomatik të Malit të Zi në Pragë, që do të ishte një hap kyç përpara në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.
“Ne vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin dhe jemi të bindur se Republika Çeke, si një avokate e fortë e zgjerimit dhe vend pritës i samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, do të mbështesë iniciativën tonë që Mali i Zi të jetë mikpritës i këtij takimi të rëndësishëm vitin e ardhshëm”, përfundoi Millatoviq.