DUKAJ: QËLLIMI YNË ËSHË I QARTË – DECENTRALIZIM DHE FUQIZIM I VETËQEVERISJEVE LOKALE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Forcimi i decentralizimit, fuqizimi i komuniteteve lokale dhe krijimi i një sistemi në të cilin Qeveria do të jetë më afër qytetarëve, dhe institucionet lokale do të punojnë në interes të tyre, është qëllimi i Ministrisë së Administratës Publike (MAP), tha ministri Marash Dukaj.

Ai mori pjesë në konferencën për forcimin e pushteteve vendore në Ballkanin Perëndimor në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian, e cila u mbajt në Tiranë.

Dukaj, siç njofton MAP, ka theksuar se ky dikaster qeveritar po i kushton vëmendje të veçantë reformës së sistemit të vetëqeverisjes lokale.

Ai tha se Mali i Zi nuk kishte të dhëna fillestare për gjendjen në pushtetet lokale dhe se për këtë arsye është dashur të fillojë nga e para.

Dukaj përkujtoi se kanë përgatitur një analizë gjithëpërfshirëse të funksionimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale.

“Sipas metodologjisë së hartuar, kemi mbledhur të dhëna nga të gjitha komunat dhe autoritetet shtetërore, për të përcaktuar objektivisht mangësitë dhe sfidat në sistemin ekzistues”, tha Dukaj.

Analiza, siç tha ministri, tregoi se Mali i Zi është një nga vendet më të centralizuara në Evropë dhe se modeli monotip i organizimit të vetëqeverisjes lokale nuk është i qëndrueshëm.

“Egzistojnë sfida serioze sa i përket financave publike lokale dhe funksionimit të bizneseve në nivel lokal. Po ashtu, mënyra e zgjedhjes së kryetarit nuk është e përshtatshme, sepse nuk reflekton legjitimitet zgjedhor”, thuhet në deklaratë.

Dukaj tha se qëllimi i tyre ishte përmirësimi i decentralizimit, por se janë të vetëdijshëm se jo të gjitha komunat kanë kapacitet për të marrë përgjegjësi të reja.

Prandaj, siç tha ai, kanë zgjedhur përmirësimin gradual në atë fushë, dmth futjen e decentralizimit asimetrik.

“Kjo nënkupton futjen e qyteteve si njësi të vetëqeverisjes lokale, të cilat do të ushtrojnë një gamë më të gjerë të përgjegjësive në fushën e kujdesit parësor shëndetësor, arsimit parashkollor dhe mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, si dhe planifikimit hapësinor”, ​​shtoi Dukaj.

Ai ritheksoi se ky model i decentralizimit do të futet me ligjin e ri për vetëqeverisje lokale, i cili do të afirmojë integrimin evropian, do të prezantojë mekanizma inovativë për monitorimin e punës së vetëqeverisjes lokale dhe do të përmirësojë bashkëpunimin ndërkomunal.

“Dhe si një hap tjetër përpara – Mali i Zi do të fitoj për herë të parë Ligjin për nëpunësit dhe të punësuarit lokalë”, thuhet në deklaratë.

Dukaj theksoi se MAP ka dorëzuar dy iniciativa në Kuvend, lidhur me reformimin e sistemit zgjedhor lokal.

“Ne propozuam vendosjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta për kryetarë komunash dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në një ditë”, tha Dukaj.

Ai ritheksoi se është e qartë se pa një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit zgjedhor nuk mund të bëhen ndryshime thelbësore.

“Qëllimi ynë është i qartë – të forcojmë decentralizimin, të fuqizojmë komunitetet lokale dhe të krijojmë një sistem në të cilin Qeveria do të jetë më afër qytetarëve dhe institucionet vendore do të punojnë në interes të tyre”, tha ministri Dukaj.

SHARE