RAPORT MBI LIRINË E MEDIAS NË EVROPË: MALI I ZI KA KUSHTE VEÇANËRISHT SHQETËSUESE TË PUNËS PËR GAZETARËT

Foto: Shutterstock

Mali i Zi ka kushte veçanërisht shqetësuese të punës për gazetarët, ku atyre pa punësim formal shpesh u mungon mbrojtja adekuate sociale, sipas Raportit 2024 për Lirinë e Medias në Evropë, të titulluar “Përballja me presionin politik, dezinformimin dhe erozionin e pavarësisë së medias”.

Kur bëhet fjalë për veprimet e gjykatave në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, “gjykimi dhe dënimi i individëve që kërcënuan apo sulmuan gazetarët në Mal të Zi” u vlerësuan si masa pozitive.

“Partnerët e platformës po trajtojnë një sërë rekomandimesh në të cilat Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian dhe 46 shtete anëtare të Këshillit të Evropës bëjnë thirrje për mbrojtje më të fortë ligjore për gazetarët, zbatimin e masave për mbrojtjen nga dezinformimi dhe masat për të luftuar mbikëqyrjen e medias. Ata u bëjnë thirrje qeverive dhe institucioneve që të mbështesin lirinë e shtypit përmes reformave të politikave, transparencës dhe mbrojtje më të fortë nga kërcënimet dhe ngacmimet”, thuhet në njoftimin për media pas prezantimit të raportit.

Në raport përmenden raste të shumta në të gjithë Evropën që tregojnë për dështime sistematike në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve kundër gazetarëve, dhe lista përfshinte gjithashtu vrasjen e kryeredaktorit të “Dan” Dushko Jovanoviq në 2004.  

Ata theksojnë nevojën urgjente që shtetet anëtare dhe institucionet evropiane të punojnë si prioritet për krijimin e mbrojtjes së fortë të punësimit për gazetarët.

“Forcimi i këtyre masave mbrojtëse nuk është vendimtar vetëm për mirëqenien e profesionistëve të medias, por edhe për ruajtjen e lirisë së medias dhe sigurimin e aksesit të publikut në gazetari të pavarur dhe cilësore”, thuhet në raport.

SHARE