OSMANI DISKUTON ME KOMANDANTIN E KFOR-it PËR SIGURINË DHE STABILITETIN

Foto: Euronews Albania

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të martën me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani, me të cilin ka thënë të ketë diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e vendit e rajonit, si dhe për koordinimin e aktiviteteve në prag të vizitës së paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë.

Rutte pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars, për herë të parë prej kur e ka marrë këtë pozitë.

Gjatë vizitës në Kosovë, Rutte pritet të jetë i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Presidenca e Kosovës ka thënë përmes një komunikate se gjatë takimit të Osmanit me komandantin e KFOR-it, presidentja e ka përmendur rolin e këtij misioni në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë.

“Kontinenti ynë po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të përhershëm me aleatët tanë”, është cituar të ketë thënë Osmani, sipas komunikatës.

Javë më parë, Rutte ka thënë se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve, dhe nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore.

SHARE