TAKIMI I KRYEMINISTRIT DHE KRYETARËVE TË PARTIVE OPOZITARE PËRFUNDON PA MARRËVESHJE KONKRETE PËR TEJKALIMIN E KRIZËS POLITIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Takimi ndërmjet kryeministrit Millojko Spajiq dhe kryetarëve të partive opozitare, Danijell Zhivkoviq dhe Damir Shehoviq, i organizuar nga shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, ka përfunduar pa marrëveshje konkrete për tejkalimin e krizës politike.

Kryeministri dhe liderët e opozitës, me ndërmjetësimin e ambasadorit të BE-së, janë takuar mbrëmë në Podgoricë për të diskutuar për zgjidhjen e krizës politike të shkaktuar nga ngjarjet në Gjykatën Kushtetuese.

Në takim është diskutuar opsioni për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion për krizën kushtetuese, në mënyrë që opozita të kthehet në Kuvend në fillim të muajit të ardhshëm.

Portalit të RTMZ i’u konfirmua se Lëvizja „Evropa Tani“ e sheh të pranueshme përfshirjen e Komisionit të Venecias në zgjidhjen e krizës politike të shkaktuar nga ngjarjet në Gjykatën Kushtetuese.

Në takim, opozita ripërsëriti kërkesën për vendosjen e moratoriumit të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për shtetësinë dhe ndryshimet në aktin më të lartë ligjor në fushën e çështjeve të identitetit. Ky moratorium do të zgjasë deri në përfundimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Nga ana tjetër, kryeministri theksoi rëndësinë e dokumentit Barometri 26, të cilin e prezantoi më herët, i cili ka të bëjë me përqendrimin e të gjithë aktorëve politikë, dhe kapacitetet e tyre, drejt mbylljes sa më të shpejtë të të gjithë kapitujve në negociatat me BE-në.

Ambasadori Sattler i bëri thirrje më parë qeverisë dhe opozitës që të ulen në tryezë këtë javë dhe të zgjidhin krizën rreth Gjykatës Kushtetuese duke iu drejtuar Komisionit të Venecias, në mënyrë që opozita të kthehet në Kuvend në fillim të muajit të ardhshëm.

SHARE