Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ervin Ibrahimoviq foli në Gjenevë, në Segmentin e Nivelit të Lartë të sesionit të 58-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut.
Në fjalimin e tij në seancën plenare, Ibrahimoviq tha se të drejtat e njeriut duhet të jenë në qendër të përgjigjes së përbashkët ndaj sfidave dhe krizave aktuale gjeopolitike.
“Ne duhet të riafirmojmë angazhimin tonë të fortë për multilateralizëm efektiv dhe një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave urgjente, ne duhet të investojmë më shumë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të forcojmë vazhdimisht sundimin e ligjit.”
Ai theksoi se Mali i Zi është i përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me të gjithë partnerët, me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave, të drejtave dhe lirive të përbashkëta demokratike dhe rikujtoi mandatin e dytë të përfunduar së fundmi në Këshillin për të Drejtat e Njeriut.
“Ne kemi punuar ngushtë me partnerë nga të gjitha grupet rajonale për të kontribuar së bashku në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën, me fokus të veçantë në grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara. Me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim, Mali i Zi do të vazhdojë të jetë një aktor konstruktiv dhe i besueshëm në Këshill dhe të bashkëpunojë me të gjithë mekanizmat e OKB-së për të drejtat e njeriut”, tha ministri duke theksuar se në nëntor 2024, Mali i Zi ka paraqitur kandidaturën për anëtarësim në Këshillin për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2030-2032.