Foto: Predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka ftuar presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
“Duke besuar thellë se dialogu i vazhdueshëm politik është rruga drejt suksesit dhe në dritën e bisedimeve konstruktive të zhvilluara në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor 2024, kam kënaqësinë e madhe t’ju ftoj në një vizitë zyrtare në Mal të Zi”, thuhet në letrën e Presidentit të vendit.
Në letrën e tij, Presidenti Millatoviq ritheksoi përkushtimin e vendit tonë për paqe, stabilitet dhe prosperitet, si dhe vendosmërinë e tij për të arritur qëllimin që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.
“Jam i bindur se takimi ynë do të përfaqësonte një shtysë të fortë për agjendën ambicioze evropiane të Malit të Zi dhe në të njëjtën kohë një afirmim të rëndësisë strategjike të politikës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, një vizitë në Malin e Zi, si lider i integrimeve evropiane në rajon, do të përfaqësonte një konfirmim të padyshimtë të qasjes së bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate dhe një mesazh të qartë se përkushtimi ndaj reformave sjell përfitime konkrete dhe përshpejton rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në pritje të një dialogu të suksesshëm dhe dëshirën e sinqertë që përmes vizitës suaj në Mal të Zi bashkërisht t’i japim një vrull shtesë partneritetit strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ju lutemi pranoni konsideratën time më të lartë dhe urimet më të përzemërta”, thuhet në letrën e Presidentit.
Presidenti Millatoviq u takua me Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa në dhjetor në Bruksel në Samitin e Liderëve BE-Ballkani Perëndimor.