ZELENSKY LAVDËRON HEROIZMIN E UKRAINASVE NË TRE VJET LUFTË

Foto: AFP

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se është krenar për vendin e tij, për “tre vjet të rezistencës” dhe për “tre vjet të heroizmit absolut të ukrainasve”.

Zelensky e lëshoi këtë deklaratë në ditën kur bëhen tre vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt, 2022.

“Faleminderit për të gjithë ata që e mbrojnë dhe e ndihmojnë Ukrainën. Për të gjithë ata që punojnë për Ukrainën. Dhe, qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për shtetin dhe popullin tonë”, tha Zelensky.

Për të shënuar këtë ditë, ai thirri një samit ndërkombëtar të sigurisë në Kiev.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, që përfshijnë udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, Zelensky bëri thirrje për një shkëmbim masiv të të burgosurve me Rusinë.

Një gjë e tillë, tha ai, do të mund të shërbente si “masë besimi” mes dy vendeve.

Por, ai shprehu gjithashtu dyshime në lidhje me perspektivat e bisedimeve për paqe me Rusinë.

“[Presidenti rus, Vladimir] Putin nuk do të na dhurojë paqen. Ai nuk do ta shkëmbejë atë me diçka. Ne duhet ta arrijmë paqen përmes forcës, mençurisë dhe unitetit”, tha Zelensky.

SHARE