Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Parlamenti i Malit të Zi ka formuar Komisionin Hetimor që do të merret me “Treshen e zezë”.
Për vendimin në seancën e sotme votuan 44 deputetë.
Komisioni hetimor, siç sqaroi kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, është formuar për të mbledhur informacione dhe fakte për veprimet e organeve shtetërore dhe subjekteve tjera në rastet e vrasjeve me motive politike, që kanë ndodhur që nga futja e politikës shumëpartiake deri në ditët e sotme, si dhe rrethanat e sulmeve fizike dhe rrahjeve të gazetarëve nga oficerët e policisë të njohur si “Treshja e zezë“.
“Ka vende të ndryshme dhe kriminelë të ndryshëm, por nga të gjitha ato, në asnjërën prej tyre qeveria nuk ka qenë ndonjëherë e motivuar në mënyrë unike për të mbrojtur trafikun, drogën, cigaret dhe mallrat e tjera të ndaluara siç ishte rasti në vendin tonë pothuajse privat. Mali i Zi ishte i vetmi vend ku mbretëronte krimi dhe ku kriminelët kishin kontroll faktik dhe institucional. Ata kishin një shtet që ishte streha e tyre, jo një burg; ata krijuan një vend në të cilin mendimi i lirë dhe lufta për lirinë e medias nënkuptonin vdekjen për ata që dyshonin dhe u përpoqën t’i kundërshtonin”, tha Mandiq.
Siç thekson ai, është koha për të thënë mjaft. “Kjo është arsyeja pse ky Komision Hetimor është i nevojshëm; ky është një mision historik që na ka rënë për t’i rikthyer dinjitetin Malit të Zi”, theksoi Mandiq.
Ai shpjegon se Komisioni Hetimor do të ketë liri të mjaftueshme për t’u marrë me sulmet dhe operacionet që, siç thotë ai, kishin në shënjestër komunitetet kombëtare boshnjake dhe shqiptare.
Seanca u mbajt pa praninë e opozitës për shkak se janë në fuqi masat e pezullimit prej 15 ditësh për deputetët e opozitës nga kryeparlamentari Andrija Mandiq.