Foto: Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Presidentit të Malit të Zi / Kancelarija za odnose sa javnošću predsjednika Crne Gore
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq u bëri thirrje autoriteteve kompetente shtetërore dhe lokale, si dhe aktorëve politikë që, siç tha ai, të mundësojnë përfundimin e proceseve zgjedhore që kanë filluar në komunat e Shavnikut dhe Kotorrit dhe të mos marrin vendime dhe të ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me rendin kushtetues dhe juridik të Malit të Zi.
Millatoviq, në një postim në rrjetin X, ka theksuar se mandati i Kuvendit të Komunës së Shavnikut ka skaduar në qershor të vitit 2022 dhe se procesi zgjedhor në komunën e Shavnikut është duke u zhvilluar dhe ende nuk ka përfunduar.
Ai po ashtu theksoi se procesi zgjedhor në Kotorr nuk ka përfunduar edhe pse ka kaluar gati gjysmë viti nga dita e zgjedhjeve.
“Pa një proces zgjedhor plotësisht funksional, nuk është e mundur të sigurohet sundimi i ligjit apo të binden partnerët tanë të BE-së se jemi gati të finalizojmë rrugën tonë evropiane. E drejta e votës dhe e drejta për vetëqeverisje lokale përbëjnë themelin e funksionimit të rendit kushtetues dhe demokratik dhe shkelja e vazhdueshme e këtyre të drejtave, që fatkeqësisht e kemi dëshmuar së fundmi, kërkon një reagim efikas dhe sistematik nga institucionet”, theksoi Presidenti i Malit të Zi.