VIJON MOTI EKSTREM NË SHBA

Foto: AA

Moti i ashpër kaploi Shtetet e Bashkuara duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik paralajmëroi për “një të ftoftë të rrezikshëm” të martën, me temperatura që parashihen të bien deri në – 51 gradë Celsius në Montana, të shoqëruara me erëra të forta.

Meteorologët thonë se disa shtete do të përjetojnë stuhinë e dhjetë dhe më të ftohtën për këtë stinë, që po vjen nga drejtimi i Arktikut.

Në Kentaki, Guvernatori njoftoi të dielën se numri i të vdekurve kishte arritur në 9.

Ai tha se të paktën 1 mijë persona, të ngujuar nga vërshimet, ishin shpëtuar.

Presidenti Donald Trump miratoi kërkesën e Kentakit për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe autorizoi Agjencinë Federale për Menaxhimin e Situatave të bashkërendojë përpjekjet për të ofruar ndihmë në këtë shtet.

Guvernatori tha se shumica e viktimave e kishin pësuar kur makinat e tyre ishin bllokuar nga niveli i lartë i ujit.

Në mesin e viktimave ishte një nënë me fëmijën e saj 7 vjeç.

Në Alabama, stuhia kishte shkatërruar disa shtëpi mobile, drunjtë dhe kishte dëmtuar përçuesit e energjisë elektrike, por nuk kishte viktima në njerëz.

Në Atlantë, një person humbi jetën pasi një dru i madh ra mbi shtëpinë e tij të dielën në mëngjes, sipas autoriteteve.

Në Dakotën e Veriut, erërat e ftohta dhe temperaturat e ulëta pritet të zbresin deri në – 50 gradë Celsius, ndërkohë që ky shtet mbetet nën “paralajmërimin për acar”.

SHARE