Foto: AA
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se siguria e Evropës ndodhet në një pikë kritike, duke theksuar nevojën për një rritje urgjente të përpjekjeve të mbrojtjes, raporton Anadolu.
“Sapo mbërrita në Paris për bisedime vendimtare. Siguria e Evropës është në një pikë kthese”, shkroi von der Leyen në X, duke shtuar:
“Po, ka të bëjë me Ukrainën, por ka të bëjë edhe me ne”.
Duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm, ajo theksoi domosdoshmërinë e miratimit të një “mendësie urgjente” dhe përshpejtimin e masave të mbrojtjes.
Udhëheqësit evropianë do të takohen në Paris këtë pasdite për të diskutuar sigurinë rajonale mes shqetësimeve për ndryshimin e prioriteteve të SHBA-së dhe luftës në Ukrainë.
Sipas raporteve të mediave, presidenti francez Emmanuel Macron do të jetë nikoqir i liderëve nga Britania e Madhe, Gjermania, Polonia, Italia dhe Danimarka, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Bisedimet vijnë pas raportimeve se presidenti amerikan Donald Trump diskutoi luftën në Ukrainë me homologun e tij rus Vladimir Putin, duke kapur në befasi Kievin dhe aleatët.
Washingtoni ka paralajmëruar gjithashtu NATO-n se Evropa nuk do të jetë më prioriteti i saj kryesor i sigurisë, pasi fokusohet në Kinë.