OSMANI DHE KURTI BISEDOJNË NDARAS ME SORENSENIN PËR PRITJET NGA DIALOGU I BRUKSELIT

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë takuar të premten, ndaras, të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, në lidhje me pritjet nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy liderët e Kosovës i kanë zhvilluar takimet e para me Sorensenin në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, e cila ka nisur punimet të premten.

“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X – dikur Twitter.

Kurti ka folur për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2023. Palët nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje dhe as nuk kanë bërë ndonjë hap drejt zbatimit të saj.

Sipas Zyrës së kryeministrit, Kurti ka thënë se kjo marrëveshje “po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres [Ana] Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja”.

“Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”, është cituar të ketë thënë mes tjerash Kurti.

Peter Sorensen, nga Danimarka, e ka nisur zyrtarisht punën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun.

SHARE