SPAJIQ DHE AL KARKAWI: ZHVILLIMI I SHËRBIMEVE DIGJITALE ÇON NË LIDHJE MË TË FORTA ME QYTETARËT DHE EKONOMINË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan në Dubai një Memorandum Mirëkuptimi, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave për zhvillimin dhe modernizimin e administratës publike, si dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Memorandumin e Mirëkuptimit e nënshkruan kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq dhe ministri i Çështjeve të Kabinetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammad bin al Abdullah al Karkawi.

Dokumenti parashikon shkëmbimin e njohurive dhe përvojës në fusha të shumta në të cilat Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arritur rezultate të dukshme – zhvillimin e shërbimeve digjitale, efikasitetin e shërbimeve qeveritare, përdorimin e inteligjencës artificiale, ekonominë digjitale dhe industritë kreative.

„Ky dokument shënon një bashkëpunim të ri, më dinamik dhe gjithëpërfshirës mes dy vendeve tona dhe është një konfirmim i forcimit të partneritetit tonë. Shkëmbimi i njohurive dhe përvojave do të jetë veçanërisht i rëndësishëm për ne në modernizimin e punës së Qeverisë dhe administratës shtetërore në tërësi,“ tha kryeministri Spajiq, i cili po merr pjesë në Samitin e Qeverisë Botërore 2025.

Kryeministri Spajiq dhe ministri i çështjeve të kabinetit al-Karkawi pajtohen se nënshkrimi i sotëm i Memorandumit është konfirmimi më i mirë i dëshirës për të përmirësuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe se ai do të jetë bazë për shkëmbimin e vazhdueshëm të përvojave, njohurive dhe realizimin e projekteve.

Dokumenti nënkupton përpjekje të përbashkëta për promovimin e aftësive dhe përmirësimin e punës së qeverisë, ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive institucionale për të ardhmen dhe zhvillimin e bashkëpunimit në shumë fusha të tjera.

SHARE