Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka shpallur Ligjin për Buxhetin e Malit të Zi për vitin 2025, i cili është miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi në seancën e parë të jashtëzakonshme më 7 shkurt të këtij viti.
Ai ka shpallur edhe Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Buxhetin dhe Përgjegjësinë Fiskale si dhe Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, miratuar në të njëjtën seancë të Kuvendit të Malit të Zi, njoftoi Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Presidentit të Malit të Zi.
Të rikujtojmë se, Parlamenti i Malit të Zi miratoi Ligjin për Buxhetin për këtë vit, të premten.
Për miratimin e aktit më të rëndësishëm ekonomik të shtetit votuan 46 deputetë, ndërsa 1 abstenoi. Amendamentet e shumta të opozitës u refuzuan.
Në seancën e Kuvendit nuk morën pjesë deputetët e opozitës, të cilët kanë masë pezullimi.
Ministri i Financave Novica Vukoviq tha se ky buxhet forcon standardin e jetesës së qytetarëve dhe se miratimi i buxhetit krijon kushtet për vazhdimin e rezultateve nga viti 2024.
Kuvendi ka marrë vendim edhe për huamarrjen për këtë vit.