Foto: ABC News
Raportuesi për Malin e Zi nga grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian (PE), Vladimir Prebiliç, u ka propozuar autoriteteve në Mal të Zi ndërmjetësim për të kapërcyer ngërçin në funksionimin e institucioneve.
“Kam pasur parasysh, nëse është e mundur, të bëhet një ndërmjetësim. Kjo nënkupton formimin e një komisioni të vogël që do të vizitojë Malin e Zi, do të ulet në tryezë dhe do të bien dakord për atë që mund dhe nuk mund të bëhet. Sepse kur kjo vendoset në një kontekst më të gjerë, e di që të gjithë kërkojnë pjesën e tyre dhe kjo është e qartë për mua në luftën politike, por mendoj se duhet theksuar gjithnjë e më shumë se ky rast nuk është aq i rëndësishëm tani, sepse do ta ndalonte të gjithë Malin e Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian”, thekson Prebiliç.
Deputeti slloven vëren se procedurat para Komisionit të Venecias mund të zgjasin deri në gjashtë muaj dhe se Mali i Zi nuk ka kohë për të humbur.
“Dëshiroj të mos harrohet se synimi primar është ende hyrja e Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Që disa pikë të mos merren për këto çështje vetëm për qëllime politike, por për ta lënë pamjen e madhe ende para të gjithëve. Dhe duhet të them, nëse ka nevojë, Parlamenti Evropian është këtu, ne jemi disa deputetë këtu që jemi të gatshëm të ndihmojmë drejt këtij dialogu. Kam dëgjuar se ka një marrëveshje që po shkon në drejtimin e duhur me Komisionin e Venecias, por kjo do të marrë pak kohë. Pra, nëse ka mundësi, nëse ata mendojnë se ne mund t’i ndihmojmë në këtë drejtim, ne jemi këtu sepse disi nuk do të dëshironim që kjo shtysë që kemi tani, kjo lëvizje që ekziston tani në Mal të Zi, të ndalet në asnjë kuptim”, theksoi eurodeputeti.
Prebiliç thotë gjithashtu se PE është i kënaqur me përparimin e Malit të Zi drejt BE-së.
“Unë mendoj se është bërë një punë e mirë. Shumë kapituj janë mbyllur dhe hapur. Mendoj se gjithçka po shkon në drejtimin e duhur. Por një gjë duhet theksuar. Rruga drejt Bashkimit Evropian është një rrugë e përbashkët. Kjo nuk është rruga vetëm e elitës politike apo vetëm e qeverisë, por rruga e kombit, e popullit. Dhe kushdo që udhëheq popullin, kjo vlen për opozitën dhe pozitën, duhet ta kenë parasysh këtë, domethënë të mos harrojnë se ky është thelbi dhe se ne duhet të bashkëpunojmë dhe vetëm kështu mund të hyjmë në BE”, theksoi Prebiliç.