OSMANI: ME ADMINISTRATËN TRUMP SYNOJMË THELLIMIN E BASHKËPUNIMIT

Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, shteti synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike.

Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se po ashtu synohet vazhdimi i punës me Uashingtonin lidhur me forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë”, tha Osmani. E para e shtetit të Kosovës po qëndron në Shtetet e Bashkuara, ku ka marrë pjesë edhe në Lutjet e Mëngjesit, por ka zhvilluar edhe takime në Departamentin e Shtetit.

Më 6 shkurt, Osmani tha se është takuar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast, me të cilin tha se ka biseduar për raportet mes dy vendeve, që sipas saj, është një aleancë ” e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri”.

Presidenca, ndërkaq bëri të ditur se Osmani në Uashington është takuar edhe me kongresistin Keith Self, me të cilin ka biseduar për nevojën e mbështetjes të vazhdueshme amerikane për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo potencoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në përmbushjen e synimeve euroatlantike të Kosovës dhe përballjen me sfidat rajonale të sigurisë”, u tha në njoftim.

Osmani po ashtu është takuar me kongresistin Mike Lawler, me të cilin ka biseduar për forcimin e raporteve dypalëshe.

Deklaratat e presidentes Osmani për synimin që të thellohet bashkëpunimi me Uashingtonin, vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika nga zyrtar të administratës amerikane.

SHARE