MICKOSKI LARGON SHQIPTARËT, REDUKTON EDHE FINANCIMET / BDI-ja, LETËR SHBA-së E BE-së

Foto: AA

Bashkimi Demokratik për Integrim ka informuar zyrtarisht Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbi shqetësimet në lidhje me përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit në Maqedoninë e Veriut.

BDI thotë se spastrimi i shqiptarëve nga administrata po minon seriozisht përparimin e bërë në dy dekada në kuadër të marrëveshjes së Ohrit.

“Zhvillimet e fundit tregojnë një prirje shqetësuese të kundërt, me përjashtim sistematik të shqiptarëve në shumë sektorë kyçë të qeverisjes dhe administratës publike”, thuhet në deklaratë.

BDI informon partnerët ndërkombëtarë se veç largimit nga puna, qeveria e re e Shkupit po penalizon shqiptarët edhe me financimet.

Deklarata kujton ndarjen e vetëm 12 për qind të buxhetit për kulturën për projektet që kanë të bëjnë me trashëgiminë e shqiptarëve.

Në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, situata paraqitet edhe më alarmante thotë BDI, ku në mbi 50 poste drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes, shqiptarët përfaqësohen vetëm me një këshilltar.

Këto politika, thotë BDI po rrezikojnë strukturën multietnike të shtetit dhe po nxisin margjinalizimin e shoqërisë dhe tensionet ndëretnike.

SHARE