Foto: AA
Në Tiranë është mbajtur samiti i kryebashkiakëve “Pact of Free Cities” (Pakti i Qyteteve të Lira) me pjesëmarrjen e kryetarëve të bashkive nga qytete të ndryshme të botës, raporton Anadolu.
I organizuar nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, samiti synon “të forcojë bashkëpunimin mes qyteteve, të ndajë praktikat më të mira dhe të sigurojë fonde direkte nga Bashkimi Evropian për zhvillimin urban”.
Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, u shpreh në fjalën e saj në hapje të samitit se Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur urbanizimin e qyteteteve duke përshtatur një legjislacion bashkëkohor.
“Qytetet janë kontribuesit më aktivë në formësimin e shoqërive demokratike, duke ushqyer vlerat, mbështetur institucionet, përshtatur, madje edhe krijuar, praktikat demokratike, sipas nevojave të komuniteteve urbane, të cilat janë, pa dyshim, më të avancuarit e shoqërive tona”, tha ajo.
Spiropali theksoi se qytetet rindërtojnë demokracinë, sipas vizionit, jetës e nevojave të qytetarëve të tyre.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës se tij u shpreh se pret që gjatë këtij samiti të krijohen ura të reja bashkëpunimi mes qyteteve.
“Çdo gjë është e mundur nëse secili prej nesh merr seriozisht angazhimin tonë për të qenë transformues, inovatorë dhe hapësira të hapura për qytetarët tanë, por të hapura edhe për të tjerë, që vijnë nga vështirësitë që mund të sjellë lufta, ndryshimet klimaterike apo sfidat e jashtëzakonshme ekonomike”, tha Veliaj.
Gjatë samiti u organizuan disa panele diskutimi, ku kryetarët e bashkive pjesëmarrës në event trajtuan tema të ndryshme, si siguria e qyteteve në kohë krizash, qëndrueshmërinë e qyteteve dhe emigracioni. Pjesë e samitit ishte edhe kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, i cili mbajti një fjalë online.
Sipas Bashkisë së Tiranës, “Pakti i Qyteteve të Lira” është një rrjet global qytetesh që ka si mision mbrojtjen e demokracisë, lirisë dhe vlerave progresive.
Në këtë rrjet bëjnë pjesë qytete dhe metropole si Athina, Amsterdami, Barcelona, Budapesti, Berlini, Brukseli, Frankfurti, Kievi, Londra, Los Angeles, Milano, Mynihu, Parisi dhe qytete të tjera.