Foto:Tayfun Coşkun/AA
Shirat e dendur kanë goditur shtetin amerikan të Kalifornisë si pasojë e fenomenit të “lumenjve atmosferik”, duke shkaktuar përmbytje në kontin Marin dhe duke prekur miliona banorë, raporton Anadolu.
Operacionet e shpëtimit në zonat e përmbytura janë duke u zhvilluar dhe forcat e sigurisë po punojnë në mënyrë aktive për evakuimin e banorëve të rrezikuar dhe për mbylljen e rrugëve.
Në zonat e përmbytura shihen rrugë të mbyllura, automjete të përmbytura dhe qytetarë që përpiqen të shpëtojnë pronën e tyre.
Pamjet tregojnë njerëz që shtyjnë automjetet e bllokuara në ujë, derisa rrugët e përmbytura vështirësojnë lëvizjen dhe operacionet e shpëtimit.
Lumenjtë atmosferikë janë breza të gjatë avulli uji në atmosferë, të cilat mund të jenë deri në 400 kilometra të gjera dhe mbi 1.600 kilometra të gjata.
Edhe pse janë të rëndësishme për furnizimin me ujë, këto dukuri natyrore mund të shkaktojnë reshje ekstreme, përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të mëdha materiale.
Shërbimi Kombëtar i Motit në Kaliforni lëshoi një paralajmërim për stuhi të forta në Marin, San Francisco dhe San Mateo, duke paralajmëruar për erëra deri në 70 milje në orë.
Reshjet e shiut që nisën të premten e javës së kaluar u intensifikuan ndjeshëm gjatë ditës së djeshme, veçanërisht në kontin Marin.