Foto: Ilustrim
Këshilli i BE-së do të shqyrtojë çështjen e çmimeve të larta të produkteve, tha ministri polak i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë, Kristof Pashik, gjatë një sesioni të Komitetit të Parlamentit Evropian për Tregun e Brendshëm dhe Mbrojtjen e Konsumatorit.
“Kjo është një çështje urgjente, konkrete që prek miliona qytetarë në BE. Mund t’ju them se ne kemi identifikuar ekzistencën e këtij problemi në Poloni dhe do të zhvillojmë një dialog intensiv me Komisionin Evropian dhe shpresojmë që Komisioni të inicojë propozimet e nevojshme. Pra, presidenca jonë do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me Komisionin për këtë çështje”, tha Pashik, vendi i të cilit mban presidencën e Këshillit të BE-së gjatë gjysmës së parë të vitit.
Tema e çmimeve jashtëzakonisht të larta u ngrit nga deputeti kroat Tomisllav Sokol, i cili paralajmëroi për këtë praktikë në shumë vende të BE-së.
“Një nga problemet kryesore të pranishme në disa vende anëtare, përfshirë Kroacinë, është ai i praktikave të padrejta tregtare dhe diferencave të mëdha në çmimet e të njëjtave produkte që shiten me çmime të ndryshme në shtete të ndryshme anëtare,” vuri në dukje Sokol.
Ai theksoi se të dhënat tregojnë se ka produkte që shiten në shtetet anëtare me çmim dy deri në tre herë më të shtrenjtë se çmimi që arrijnë të njëjtat produkte në tregun e vendit në të cilin prodhohen.
“Ky është bërë një problem i madh për konsumatorët dhe javën e kaluar kemi pasur një bojkot të madh të dyqaneve në Kroaci, prandaj në ditën e bojkotit, të ardhurat nga shitjet në dyqane janë ulur për më shumë se 50 për qind”, theksoi Sokol.
Bojkoti i zinxhirëve të shitjes me pakicë filloi në Kroaci dhe u përhap në Bosnje Hercegovinë e Mal të Zi. Thirrja e Organizatës, “Alternativa e Malit të Zi” për bojkotimin e zinxhirëve të shitjes me pakicë të premten, më 31 janar për shkak të çmimeve të larta, u prit pozitivisht nga pothuajse të gjithë.