KËSHILLI I EVROPËS MIRATON MOCIONIN QË BËN THIRRJE PËR FUND TË MENJËHERSHËM TË KRIZËS HUMANITARE NË GAZA

Foto: AA

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me qendër në qytetin verior francez të Strasburgut, miratoi sot një mocion që bën thirrje për një fund të menjëhershëm të krizës humanitare që prek fëmijët dhe gratë palestineze si dhe pengjet në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Mocioni u miratua me 90 vota pro, 18 kundër dhe 14 abstenime.

Ai thekson se sulmet e Izraelit në Gaza kanë rezultuar në një krizë humanitare “të paimagjinueshme”, me shumë viktima, duke përfshirë punëtorë shëndetësorë dhe humanitarë, gjatë vitit të kaluar. Mocioni nënvizon nevojën për mbrojtjen e civilëve dhe sigurimin e nevojave themelore, duke kërkuar hapjen e disa rrugëve hyrëse që ndihmat humanitare të arrijnë në rajon.

Ai theksoi gjithashtu se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) duhet të vazhdojë punën e saj në zonë dhe bëri thirrje për lirimin e të burgosurve. Delegatja irlandeze Fiona O’Loughlin, në fjalimin e saj në diskutimet e asamblesë, tha se pothuajse çdo ditë, dhjetë fëmijë humbasin gjymtyrët dhe se 20.000 fëmijë të Gazës tani janë jetimë.

Ajo vuri në dukje se mbi 96 për qind e grave dhe fëmijëve në Gaza nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre bazë ushqimore, duke bërë thirrje për më shumë ndihmë humanitare për rajonin.

Delegatja portugeze Edite Estrela theksoi nevojën e palestinezëve për paqe në rajon për të rindërtuar jetën dhe shtëpitë e tyre, duke shprehur mbështetjen për të drejtat e grave dhe fëmijëve palestinezë. Estrela dënoi dhunën dhe shkatërrimin e vazhdueshëm, duke vënë në dukje humbjen e konsiderueshme të jetëve civile për shkak të bombardimeve dhe sulmeve të vazhdueshme.

Izraeli ka vrarë më shumë se 47.000 palestinezë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023, pas një sulmi të grupit palestinez Hamas.

Bombardimet brutale kanë zhvendosur shumicën e popullsisë së Gazës, kanë çuar në mungesa të ushqimit dhe nevojave të tjera, dhe kanë lënë pjesën më të madhe të enklavës në gërmadha. Një armëpushim ka hyrë në fuqi që nga 19 janari.

SHARE