SPAJIQ: LIDHJA INFRASTRUKTURORE ME RAJONIN KRAH PËR KRAH ME RRUGËN DREJT BE-së

Foto: Shtëpia evropiane / Evropska kuća

Lidhjet infrastrukturore me rajonin shkojnë paralelisht me rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, tha kryeministri i Malit të Zi, Mlilojko Spajiq.

Ai tha se në vitet e ardhshme Qeveria dëshiron të ndërtojë rreth 500 kilometra autostrada dhe rrugë të shpejta që do ta ndryshojnë tërësisht Malin e Zi dhe se shpreson që kompanitë evropiane të kenë interes të jenë partnerë tanë.  

Kryeministri Spajiq theksoi domosdoshmërinë e përmirësimit të infrastrukturës së transportit në Mal të Zi, në mënyrë që vendi të zhvillohet më tej dhe të lidhet me rajonin dhe Evropën.

“Zhvillimi infrastrukturor është prioritet i kësaj qeverie. Lidhja e infrastrukturës me rajonin shkon paralelisht me rrugën tonë në BE. Në vitet e ardhshme, ne duam të ndërtojmë rreth 500 kilometra autostrada dhe rrugë të shpejta që do të ndryshojnë tërësisht Malin e Zi. Gjithashtu, janë planifikuar investime në hekurudhë, aeroporte dhe Portin e Tivarit me synimin për të valorizuar plotësisht potencialin e padiskutueshëm të vendit tonë. Besoj se kompanitë europiane do të gjejnë interes për të qenë partnerët tanë në këtë rrugë të ndërtimit të një kapitulli të ri në historinë e vendit”, tha kryeministri.

Ambasadori i BE-së në Mal të Zi Johan Sattler tha se BE-ja dhe Mali i Zi janë të përkushtuar për transport më të mirë dhe më të gjelbër, me synimin për të arritur transformimin në këtë sektor dhe në vend.

„Industria e ndërtimit të BE-së ka përvojë të gjerë dhe kapacitete inovative që mund të luajnë një rol kyç këtu. Ne duam të shohim kompanitë evropiane të bashkëpunojnë me sipërmarrjet malazeze për përfitim reciprok, duke e kthyer dijen në mundësi. Në muajt e fundit, Mali i Zi ka përshpejtuar planet e tij të zhvillimit të rrugëve, duke përshpejtuar procesin e transformimit të vendit. Zbatimi i projekteve të infrastrukturës në përputhje me rregullat dhe rregulloret e BE-së siguron qasje të drejtë në treg, tërheq investime nga të cilat përfitojnë të gjitha palët e përfshira dhe ofron mundësi që populli i Malit të Zi me të vërtetë i meriton”, tha ambasadori i BE-së.

SHARE