Foto: AA
Kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i tij, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media, Vuçeviq tha se sot në mëngjes ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka pranuar vendimin e tij.
Ai theksoi se vendimi i tij lidhet me ngjarjet e djeshme në Novi Sad, kur u sulmuan studentët që protestonin.
Vuçeviq bëri thirrje për rikthimin e dialogut dhe zbutjen e tensioneve. Sipas tij, kjo ishte “absolutisht e planifikuar nga jashtë, e planifikuar në mënyrë të neveritshme duke e shënjestruar arsimin”, ku përmendi edhe “skenarë të ligë” dhe “një dorë të padukshme”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dje bëri thirrje për një riorganizim urgjent të qeverisë.
Këto zhvillime vijnë pas protestave masive që zgjasin më shumë se dy muaj, të organizuara nga studentët. Ata kërkojnë llogaridhënie për vdekjen e 15 personave më 1 nëntor, gjatë shembjes së një pjese të kulmit të stacionit hekurudhor në Novi Sad, si dhe për sulmet ndaj studentëve gjatë protestave dhe bllokadave.