TË PREMTEN, NISMË PËR BOJKOTIMIN E ZINXHIRËVE TË SHITJES ME PAKICË

Foto: Ilustrim

Pas bojkotit të rrjeteve të shitjes me pakicë në Kroaci për shkak të çmimeve të larta, aksioni po shtrihet edhe në Mal të Zi.

Një nismë për të bojkotuar të gjithë zinxhirët e shitjes me pakicë në Mal të Zi u lançua në mediat sociale të premten, më 31 janar.

I njëjti aksion është paralajmëruar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Grupi Alternativa Mali i Zi njoftoi se të njëjtën gjë dëshiron ta organizojë edhe në Mal të Zi.

“Ne konsiderojmë se çmimet janë jashtëzakonisht të larta dhe se zinxhirët kryesorë të shitjes me pakicë, përmes marrëveshjes së tyre të ndërsjellë për formimin e çmimeve, kanë pasur një ndikim vendimtar që qytetarët të mos e ndjejnë ndikimin e plotë të rritjes së pagave dhe pensioneve. Të premten, 31 janar, ne bëjmë thirrje për bojkot të supermarketeve dhe dyqaneve në Mal të Zi, të gjitha pa përjashtim, sepse kjo nuk ka të bëjë me politikën, çmimet e larta prekin të gjithë qytetarët njëlloj,” thuhet në njoftim.

Ata pyesin veten nëse mund ta lëmë mënjanë politikën për një ditë, të mos ndahemi, të jemi të gjithë si një dhe t’i lëmë të kuptojnë se ne jemi ata që vendosim.

Kryeministri Millojko Spajiq po ashtu mbështeti idenë që qytetarët e Malit të Zi duhet të bojkotojnë supermarketet dhe dyqanet e tjera ushqimore për shkak të çmimeve të larta.

Ai ndau një sondazh në platformën X duke pyetur nëse kjo duhet bërë duke ndjekur shembullin e Kroacisë.

“Pas vetëm një dite bojkoti, supermarketet kroate dëgjuan mesazhin dhe ulën ndjeshëm çmimet. A mendoni se edhe ne në Mal të Zi duhet të organizojmë dhe, le të themi, të bojkotojmë të gjitha supermarketet, si dhe dyqanet e tjera ushqimore, të premten e ardhshme?” thuhet në sondazh.

“Po”, ka shkruar Spajiq duke ndarë këtë sondazh.

SHARE