NËNKRYETARI CAMAJ MORI PJESË NË AUDIENCËN E PËRGJITHSHME NË VATIKAN TË UDHËHEQUR NGA PAPA FRANÇESKU

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Nikollë Camaj dhe delegacioni i tij morën pjesë sot në Audiencën e Përgjithshme të mbajtur nga kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, në Vatikan.

Pas audiencës në sallën Pali VI, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Camaj, pati një takim të shkurtër me Shenjtërinë e Tij Papa Françeskun.

Me këtë rast, Camaj i dorëzoi në emër të Kuvendit të Malit të Zi një ftesë zyrtare Papa Françeskut për të vizituar Malin e Zi, duke theksuar se kjo do të ishte vizita e parë e Papës në Mal të Zi.

„Gjatë një bisede miqësore dhe të përzemërt, nënkryetari Camaj dhe Papa Françesku shkëmbyen dhurata protokollare,“ thuhet në njoftim të Kuvendit.

Në të njëjtën ditë, nënkryetari Camaj dhe bashkëpunëtorët e tij zhvilluan një takim me Kryeipeshkvin Edgar Peña Para, Zëvendëssekretar i Shtetit i Selisë së Shenjtë, i cili shfrytëzoi rastin të falënderojë personalisht nënkryetarin Camaj për kontributin e tij në ndërmjetësimin rreth zgjidhjes së çështjes së trollit për ndërtimin e nuinciaturës në Podgoricë.

Nënkryetari Camaj tha se procesi i marrjes së miratimit është përshpejtuar me mbështetjen e ministrit Sllaven Radunoviq, Qeverisë së Malit të Zi dhe Kryeqytetit.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, gjatë vizitës së sotme në Vatikan, ka vizituar Kopshtet e Vatikanit, Bazilikën e Shën Pjetrit dhe Derën e Shenjtë, e cila është hapur simbolikisht në dhjetor të vitit 2024, në prag të Vitit Jubilar, që Papa Françesku e quajti – Viti i shpresës.

SHARE