Foto: Reuters
Komisioni Evropian është i vetëdijshëm për zhvillimet e fundit në Parlamentin e Malit të Zi dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve që të respektojnë ligjin dhe t’i përmbahen Kushtetutës.
Kështu ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE) për TVMZ, Guillaume Mercier.
Ai rikujtoi gjithashtu se komisionerja Marta Kos, gjatë vizitës së saj të fundit në Mal të Zi, ofroi mbështetjen e Komisionit për të kapërcyer bllokimin e reformave.
“Jemi në dijeni për zhvillimet e fundit në Parlamentin e Malit të Zi. Pozicioni i BE-së është i qartë: ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të respektojnë ligjin dhe t’i përmbahen Kushtetutës”, theksoi Mercier.
Ai thekson se kjo është vendimtare për rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.
“Gjatë vizitës së saj në Mal të Zi javën e kaluar, Komisionerja Kos inkurajoi të gjitha forcat politike që të bashkohen për të kapërcyer ngërçin aktual dhe për të siguruar mbështetjen më të gjerë për reformat në lidhje me BE-në. Komisionerja Kos ofroi mbështetjen e Komisionit në kërkimin e zgjidhjeve të mundshme në interes të Malit të Zi dhe anëtarësimit të tij në BE, duke përfshirë mundësinë e një vlerësimi nga një organ i pavarur ndërkombëtar, siç është Komisioni i Venecias”, theksoi zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Nga Brukseli kanë bërë thirrje për harmonizim dhe ndryshim të rregulloreve ligjore.
„BE i kërkon edhe një herë Malit të Zi të ndryshojë kuadrin ligjor aktual për të futur legjislacionin specifik mbi të drejtat e lidhura me punën, duke përfshirë kriteret e pensionit, për gjyqtarët dhe prokurorët, i cili duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet ekzistuese të “Komisionit të Venecias,“ thotë Mercier.
Zëdhënësi i KE përsërit gjithashtu thirrjen e BE-së për të gjitha autoritetet dhe liderët politikë për të garantuar funksionalitetin e plotë të Gjykatës Kushtetuese si një garanci thelbësore për shtetin e së drejtës dhe stabilitetin demokratik, “përfshirë sigurimin e emërimeve në kohë të bazuara në merita, transparencë dhe kërkesa ligjore.“