Foto: Klan Kosova
Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos deklaroi se ka besim se gjatë këtij mandati të Komisionit Evropian (2024-2029) të paktën një vend nga procesi i zgjerimit do të arrijë në “vijën përfundimtare”.
Kos i tha Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian se disponimi për zgjerim është dukshëm më pozitiv tani sesa në vitet e mëparshme.
“Për herë të parë në dhjetë vjet, ne kemi një perspektivë realiste që gjatë këtij mandati të mund të sjellim të paktën një, për mendimin tim dy ose tre vende të tjera në vijën e përfundimit,” tha Kos.
Ajo pranoi se agresioni rus kundër Ukrainës hapi mundësinë për zgjerim të mëtejshëm, por theksoi se nuk ka rrugë të shkurtra në procesin e anëtarësimit.
“Nuk do të ketë ‘koncesione’ politike. Procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në merita”, nënvizoi komisionerja evropiane. Ajo vlerësoi se në këtë moment janë dy liderë në procesin e anëtarësimit dhe sipas saj, këta janë Mali i Zi dhe Shqipëria. Mali i Zi ka një vizion për të përfunduar negociatat deri në vitin 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim, por duhet shumë punë. Parimi i një procesi të bazuar në merita duhet të zbatohet si për vendet kandidate ashtu edhe për vendet anëtare të BE”, tha Kos dhe shtoi se sapo kandidatët të përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të jenë në gjendje të ecin përpara.
Duke iu referuar përafrimit të vendeve kandidate me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE), Kos tha se asnjë vend që nuk është 100 për qind i harmonizuar me Politikën e Përbashkët Evropiane dhe të Sigurisë nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Ky është parimi që unë do të ndjek. Ajo që mund të kemi parasysh është se kjo nuk mund të ndodhë brenda një dite ose le të themi në një periudhë të shkurtër kohe. Pra, edhe ne po i ndjekim me shumë kujdes zhvillimet. Dhe ne, sigurisht, do ta bëjmë këtë edhe me Serbinë,” tha Kos.