Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se nuk është e udhës që kryeparlamentari Andrija Mandiq të urojë shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Srpska në emër të Parlamentit të Malit të Zi.
Ai po ashtu tha se kjo paraqet shkelje të marrëveshjes së koalicionit me të cilën u formua Qeveria dhe i bëri thirrje kryeministrit Millojko Spajiq që të deklarohet në lidhje me urimin e Mandiqit, dhe në këtë mënyrë të qartësohet pozita e politikës shtetërore të Malit të Zi.
“Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës dy herë e ka shpallur këtë festë jokushtetuese, arsyet janë të njohura dhe të dukshme për të gjithë në Ballkan, por edhe më gjerë. Obligimi i Malit të Zi si shtet është të respektojë vendimet e institucioneve të BeH, dhe detyra jonë e fqinjësisë së mirë është të forcojmë marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit me Bosnjën dhe Hercegovinën në tërësi. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, marrëdhëniet tona do të prishen, duke dëmtuar reputacionin që Mali i Zi ka ndërtuar me kujdes gjatë dekadave”, ka thënë Dukaj në rrjetin social “x”.
Ai shtoi se nga këndvështrimi i koalicionit aktual qeveritar në Mal të Zi, kjo është një tjetër shkelje e Marrëveshjes, detyra kryesore e të cilit është e ardhmja evropiane dhe fqinjësia e mirë e Malit të Zi.
“Pjesë e asaj marrëveshjeje është edhe Partia Boshnjake, e cila ka ministrin e Punëve të Jashtme në Qeveri. Në të njëjtën kohë, por ndoshta më pak e rëndësishme për ata që ndjekin politika të njëanshme, duke u fshehur pas shumicës prej 41+, po dërgoj një mesazh se populli shqiptar dhe politikanët shqiptarë nuk mbështesin cenimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërlikimin e rrugës sonë europiane”, tha ai.
„Në fund, na mbetet t’i bëjmë thirrje kryeministrit Millojko Spajiq, që sipas Kushtetutës zhvillon politikën e brendshme dhe të jashtme, të deklarohet dhe në këtë mënyrë të sqarojë pozicionin e politikës shtetërore të Malit të Zi në lidhje me mesazhin e urimit të Mandiqit. Edhe nëse nuk deklarohet, qëndrimet e të gjithëve do të bëhen akoma më të qarta dhe më të dukshme,“ theksoi ministri Dukaj.