Foto: A Plus Me
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, në një deklaratë për Portalin e RTMZ i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në seancën parlamentare të 21 janarit, ku do të votohet buxheti dhe ligjet e rëndësishme të propozuara nga Qeveria.
Mandiq i bëri thirrje opozitës që të mos përfshihet në obstruksionizëm, duke deklaruar se mos miratimi i buxhetit do të dëmtonte të gjithë qytetarët, si ata që mbështesin shumicën parlamentare ashtu edhe ata që mbështesin opozitën.
“Mendoj se do të ishte e padrejtë nëse në momentin kur duhet të votojmë buxhetin, opozita në Parlamentin e Malit të Zi ta pengonte atë. Të gjithë qytetarët e Malit të Zi e dinë se çfarë do të thotë të votosh për buxhetin dhe ligjet e tjera të rëndësishme të propozuara nga Qeveria e Malit të Zi”, tha Mandiq.
Siç tha ai, nuk është mirë të tentohet të ndalet jeta politike.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë në periudhën e ardhshme. I bëj thirrje që të mos e bëjnë këtë, nëse kanë vendosur ta ndërmarrin atë hap. Gjithsesi, nuk është mirë në këtë moment të vështirë që Mali i Zi gjendet të ketë përpjekje të parandalohet jeta politike, konkretisht jeta e parlamentit, të ndalohen ligje të rëndësishme dhe të parandalohet votimi i buxhetit. Të gjithë do të pësojnë dëm, si ata që votojnë për shumicën parlamentare dhe ata që votojnë për opozitën. Në fund të fundit, të gjithë qytetarët e Malit të Zi janë të dëmtuar dhe do të ishte mirë që të mbajmë një seancë të përbashkët të Kuvendit dhe të diskutojmë për mangësitë e mundshme të këtyre ligjeve dhe buxhetit”, tha Mandiq.
Të rikujtojmë se Mandiq ditë më parë, me kërkesë të Qeverisë së Malit të Zi, caktoi seancën e parë të jashtëzakonshme të parlamentit në vitin 2025 për më 21 janar.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi të caktuar për më 21 janar, ndër të tjera do të diskutohet edhe për Buxhetin e vitit 2025.
Pika e parë e rendit të ditës është Projektligji i Buxhetit.
Në seancë pritet që deputetët të diskutojnë edhe disa propozime të tjera.
Të rikujtojmë se seanca ku do të diskutohej për buxhetin nuk u mbajt në fund të vitit të kaluar për shkak të bllokadës së opozitës, e cila kërkoi tërheqjen e vendimit për pensionimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.