TRUMP KËRCËNON HAMASIN, PARALAJMËRON NATO-n

Foto: CNN

13 ditë përpara se të bëjë betimin që zyrtarizon vendosjen e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një konferencë shtypi në rezidencën e vet në Florida, ku shpjegoi kursin që ka ndërmend të marrë lidhur me çështjet kyçe të politikës së jashtme kur në duart e tij të kalojë drejtimi i vendit.

Dhe ndër komentet e para që bëri ishte refuzimi për të përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për rimarrjen e kontrollit të Kanalit të Panamasë e për të detyruar Danimarkës t’i shesë SHBA-së Groenlandës, duke i përcaktuar këto lëvizje “si të nevojshme për sigurinë kombëtare”. Më tej, pati një kërcënim të hapur për Hamasin. Republikani bëri thirrje për lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi më shumë se një vit më parë, duke thënë prerazi gjashtë herë se në kundërtën “tmerri do të pasojë”.

“Nuk dua të dëmtoj negociatat tuaja. Por nëse ata nuk lirohen përpara se të marr detyrën, tmerri do ta përfshijë Lindjen e Mesme dhe nuk do të jetë një situatë e mirë për Hamasin, dhe sinqerisht për askënd”, shprehet Trump.

Sa i përket Ukrainës, Trump shprehu interes për t’u takuar me presidentin rus dhe përsëriti zotimin e tij për të “zgjidhur” konfliktin në Ukrainë. Kur u pyet për një kërkesë kyçe të planit të paqes të Ukrainës, që ky vend të lejohet t’i bashkohet NATO-s, ai u shpreh se : Pikëpamja ime është se gjithmonë ka qenë e kuptueshme” se Ukraina nuk do të pranohet në aleancë. Ndërkohë, riktheu një kërkesë të vjetër për partnerët e NATO-s.

“Vendet partnere të aleancës duhet të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Në vend të dy për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto, ato në të ardhmen duhet të investojnë pesë për qind”, thotë më tej presidenti amerikan.

Gjatë fushatës zgjedhore republikani i pati kërcënuar vendet anëtarë të NATO-s që nuk paguajnë kontributin, se nuk do t’i mbështeste në rast të një sulmi nga Rusia. Presidenti i ardhshëm amerikan kishte sinjalizuar që gjatë mandatit të tij të parë si president se SHBA do të tërhiqej nga NATO-ja, nëse vendet evropiane nuk rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Të gjitha vendet mund ta përballojnë këtë rritje nga dy në pesë për qind, tha Trump.

SHARE