Foto: Shutterstock
Linja telefonike SOS për ndihmë psikologjike dhe mbështetje për të gjithë ata që kanë nevojë pas ngjarjes tragjike në Cetinë nga sot është aktive, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Pothuajse 40 profesionistë do t’i përgjigjen thirrjeve të qytetarëve që kanë nevojë për këshilla dhe mbështetje psikologjike. Linja telefonike u krijua falë angazhimit të Klinikës Psikiatrike të Qendrës Klinike të Malit të Zi dhe Shoqatës së Psikologëve, me mbështetjen teknike të Telekomit, e cila miratoi numrin 1555 për këtë qëllim dhe mundësoi që thirrjet nga të gjitha rrjetet të jenë falas.
“Të vetëdijshëm se familjet, si dhe të gjithë ata që u përfshinë në çfarëdo mënyre në ngjarjet në Cetinë, kanë nevojë për mbështetje psikologjike, Grupi Punues i sapoformuar, i koordinuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me shoqatat e psikiatërve dhe psikologëve të Malit të Zi, organizoi menjëherë ekipe për mbështetje psikologjike. Ekipet janë në dispozicion të të gjithë qytetarëve të Cetinës çdo ditë nga ora 07:00 deri në 19:00. Në rast se pas periudhës së lartpërmendur nevojitet ndihma, institucionet shëndetësore në Cetinë do të organizojnë transport sanitar në Qendrën Klinike të Malit të Zi, ku mund të bisedojnë me mjekët kujdestarë”, thuhet në deklaratë.
Tani, duke vendosur një linjë telefonike në numrin 1555, është siguruar që kushdo që ka nevojë për mbështetje psikologjike mund të kërkojë ndihmë nga profesionistët në çdo kohë.
„Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve që kanë nevojë që të kërkojnë ndihmë profesionale dhe në këtë mënyrë ta kalojnë më lehtë traumën dhe gjendjen e shkaktuar nga tragjedia e tmerrshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.