Foto: Presidenca e Malit të Zi
Që nga fillimi i vitit, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të politikës së jashtme në kuadër të vizitave zyrtare dhe të punës, pjesëmarrjes në samite, konferenca dhe tubime të tjera ndërkombëtare të profilit të lartë, me synimin për të promovuar vendin tonë dhe për të përshpejtuar rrugën e tij europiane.
Këtë e ka bërë të ditur kabineti i tij.
Në deklaratë thuhet se gjatë vitit të kaluar janë bërë vizita të shumta të nivelit të lartë, duke përfshirë vizita zyrtare në Holandë, Austri, Vatikan, Rumani, Qipro dhe Turqi.
“Ndër vizitat më domethënëse është ajo në Shtetet e Bashkuara, gjatë së cilës presidenti Millatoviq u takua me senatorë të shumtë me ndikim, kongresmenë dhe këshilltarin special të presidentit amerikan. Temat e diskutimit ishin forcimi i marrëdhënieve dypalëshe me theks në partneritetin strategjik mes Malit të Zi dhe SHBA-së. Si kreu më i ri i shtetit të Aleancës, ai hapi gjithashtu Samitin e Rinisë së NATO-s në Florida”, thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, marrëdhëniet ndërshtetërore janë forcuar edhe nga vizitat e zyrtarëve të lartë në vendin tonë.
Ai gjithashtu ka marrë pjesë, rikujtojnë nga Kabineti, në samitet e Komunitetit Politik Evropian në Londër dhe Budapest, si dhe në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku në bisedime me zyrtarë të lartë evropianë, promovoi prioritetin kryesor të politikës së jashtme të vendit – anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.