Foto: Zyra e Kryeministrit
Krerët e institucioneve të larta të Shqipërisë i kanë dhënë mbështetje Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e deputetëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, thanë se Kosova dhe Shqipëria ecin së bashku dhe sukseset e tyre janë të pandashme.
Kryeministri Rama, duke cituar ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se shqiptarët sot janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në pjesën ku ata jetojnë dhe kanë shansin të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane.
Rama tha se ky shans historik mund të shfrytëzohet nga shqiptarët vetëm si “trimi i mirë me shokë shumë”.
“Ne do të jemi dorë për dore, paqedashës dhe paqeruajtës për t’i bindur dora-dorës edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës si shtet sovran. Dhe, në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut evropian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi nuk duhet të lejojmë që qoftë vetëm një gram t’i bjerë Kosovës”, theksoi Rama.
Ai tha se Shqipëria do që Kosova të njihet një orë e më parë nga të gjitha vendet evropiane që ende ngurrojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj.
Rama në fjalimin e tij ka folur edhe për shqetësimet që ka sa i përket pavarësisë së Gjykatës Speciale për krime lufte, atje ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku me këtë rast tha se Gjykata është e pavarur, por sipas tij, standardet mund të jenë të varura nga gjykatësit.
Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali tha se bashkëpunimi i dy republikave është reciprokisht strategjik dhe Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës.
Ajo theksoi se pavarësisht debateve ditore, partneriteti në mes të dy shteteve është mjeti i vetëm për të përballuar sfidat. “Ne besojmë se vetëm partneriteti i plotë dhe reciprok, përtej debateve e kundërshtive për ngjarjet e ditës, është i vetmi mjet i arsyeshëm i Tiranës dhe Prishtinës për të përballuar sfidat e tyre në një mjedis gjeopolitik që shfaqet herë-herë edhe si armiqësor”, theksoi Spiropali.
Në kontekstin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, Spiropali u bëri thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës duke thënë se njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm, rritja e rolit të faktorit shqiptar, stabiliteti për paqe dhe siguri “janë detyrat tona, themeli i së ardhmes sonë”.
Pas fjalëve të krerëve të institucioneve në seancën e mbajtur me deputetë nga Kosova dhe Shqipëria, fjalë rasti mbajtën edhe shefat e grupeve politike parlamentare ku u vlerësuan marrëdhëniet e “bazuara në vëllazëri” dhe synimet e qarta për të ardhmen.