CAMAJ KA PRITUR NË TAKIM AMBASADORIN E REPUBLIKËS SË AUSTRISË NË MAL TË ZI, CHRISTIAN STEINER

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Në takimin e sotëm të nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, me ambasadorin e Austrisë, Christian Steiner, u konstatua progresi i Malit të Zi në rrugën e tij drejt BE-së.

E gjithë kjo duke vënë në dukje se viti i kaluar ka qenë sfidues për Malin e Zi, por se rezultatet e arritura janë dëshmi e fitimit të punës së palodhur me të cilën mund të krenohen.

Në deklaratën e Kuvendit thuhet se Camaj ka ripërsëritur qëndrimin se proceset e BE-së, NATO-s, respektimi i detyrimeve të marra ndërkombëtare, bashkëpunimi me të gjithë në rajon dhe të drejtat e pakicave në nivel të standardeve evropiane nuk kanë alternativë.

Ai ka shfrytëzuar rastin të falënderojë Austrinë që është një partner konstruktiv dhe proaktiv brenda BE-së sa i përket politikës së zgjerimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për procesin e integrimit evropian të Malit të Zi.

Steiner konfirmoi mbështetjen e Vjenës zyrtare për kursin e politikës së jashtme të Malit të Zi, duke theksuar se vendi ynë me shembullin e tij pozitiv ka kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe progresit në rajon.

Camaj shprehu bindjen se ndihma e Austrisë nuk do të mungojë as për sa i përket “detyrave të shtëpisë” që Mali i Zi duhet t’i përmbushë në rrugën drejt integrimit në BE. Një formë e tillë ndihme pasqyrohet edhe në programin austriak të bursave për të rinjtë nga Mali i Zi.  

Gjatë bisedës u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit të mirë në nivel kulturor dhe arsimor, por edhe në fushën e ekonomisë dhe turizmit.

„Ekzistenca e Grupit të Miqësisë me Parlamentin e Austrisë në Kuvendin e Malit të Zi është dëshmi se diplomacia ndërparlamentare është intensive, ashtu si edhe bashkëpunimi përmes Programit të Punëtorive Demokratike “Barbara Pramer”, i cili po zbatohet në Parlamentin e Malit të Zi që nga viti 2012,“ thuhet në njoftim.  

SHARE