Foto: Kabineti i Presidentit të Malit të Zi / Kabinet Predsjednika Crne Gore
Mali i Zi është i gatshëm të mbështesë investime të mëtejshme dhe të thellojë partneritetin ekonomik me Turqinë, deklaroi presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Millatoviq, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Turqi me ftesë të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, u takua me ministrin e Thesarit të Shtetit dhe Financave të Turqisë, Mehmet Simsek dhe përfaqësues të Bordit për Marrëdhënie Ekonomike me Vendet e Jashtme të Turqisë (DEIK), me temën e forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Millatoviq, në fjalimin e tij para përfaqësuesve të komunitetit të biznesit në Turqi, tha se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve po përparon nga viti në vit.
Ai tha se fluksi i investimeve direkte turke këtë vit ka arritur në gati 76 milionë euro, që është 12 për qind e totalit të investimeve të huaja direkte në Mal të Zi.
“Kjo është një rritje e konsiderueshme krahasuar me 34 milionë euro nga viti 2019, që dëshmon për besimin në rritje të investitorëve turq në stabilitetin, potencialin dhe pozicionin strategjik të Malit të Zi në zemër të Evropës”, tha Millatoviq.
Ai shtoi se tregtia mes Malit të Zi dhe Turqisë është gjithashtu dinamike dhe ka arritur në 210 milionë euro vitin e kaluar.
Presidenti i Malit të Zi rikujtoi se Oda Ekonomike Turke që nga viti i kaluar funksionon në Mal të Zi, e cila është shumë aktive.
“Kjo është e rëndësishme, duke pasur parasysh se rreth dhjetë mijë kompani në pronësi të shtetasve turq janë të regjistruara në Mal të Zi, që përfaqëson një të katërtën e të gjitha kompanive në pronësi të të huajve në Mal të Zi. Kjo pasqyron rolin dinamik të sipërmarrësve turq në formësimin e ekonomisë sonë dhe përkushtimin e tyre për inovacion dhe rritje”, tha presidenti Millatoviq.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes Malit të Zi dhe Turqisë po lulëzon edhe në fushën e turizmit.
“Numri i turistëve turq që vizitojnë vendin tonë po rritet nga viti në vit. Në vitin 2019 kemi pritur gati 40 mijë vizitorë turq, ndërsa këtë vit ky numër pritet të arrijë në gati 148 mijë”, tha Millatoviq.
Ai vendosi fokus të veçantë në intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së rinovueshme, si investime në zhvillimin e infrastrukturës.